Flamurtari, krenar në Kupat e Europës; Vllaznia shkërmoqet në Vjenë

EUROPLAUGEDo të ishte përcaktimi i duhur, ndoshta, për skuadrën vlonjate, nisur edhe nga fitorja 1-0 ndaj Madheruellit, në rikthimin e tij në Kupat e europës, aty ku bënte bujë edhe ndaj Barcelonës e Partizanit të Beogradit, në limitet e viteve 90-të. Të enjten e 16 korrikut 2009, Flamurtari ka luajtur ndeshjen e parë të Ligës së Europës. Pikërisht në stadiumin “Flamurtari”, të qytetit bregdetar, sportdashësit dhe lojtarët vlonjatë kanë dhuruar emocione të mëdha, si në shkallët e stadiumit, të mbushura plot me tifozë, por edhe në tapetin e blertë, ku të dyja skuadrat kanë sfiduar vapën e madhe dhe kanë luajtur 90-minuta cilësore. Nga ana e tij, Flamurtari ka vënë shpirtin në fushë, ka shfaqur dëshirë gati heroike për të fituar, gjë që e ka bërë realitet në pjesën e dytë, pas një eurogoli të shënuar nga Strati. Dhe po t’i shtojmë këtij goli edhe dy shtylla të goditura nga kuqezinjtë e Vlorës, kuptojmë se Flamurtari ka merituar gjithcka. Ndihmesë për këtë fitore të vlonjatëve ka qenë padiskutim edhe portieri i ri Mocka, që ka pritur një penallti, akorduar në mënyrë jo shumë bindëse nga gjyqtari austriak i ndeshjes, në favor të miqve skocezë. Vecanërisht 20 minutat e fundit të lojës, pas golit të Stratit, kanë qenë të mrekullueshme për Flamurtarin. Vendasit e kanë mbyllur kundërshtarin në zonën e tyre, duke goditur disa herë portën e skocezëve. Ka spikatur, mbi të gjithë, 18-vjecari i talentuar, i ardhur në merkaton e verës nga Apolonia në Vlorë, Odise Roshi. Me hyrjen e tij në fushë, pjesën e dytë, loja e kuqezinjve, sidomos në krahun e djathtë të mesfushës, ka njohur frymëmarrje të thellë. Inkursionet e njëpasnjëshme të tij nga ky krah kanë sjell panik të madh në radhët e skocezëve. Sidoqoftë, goli i Stratit, i shënuar me një goditje të fortë e të bukur nga jashtë zonës, ka mbetur i vetëm në këtë ndeshje, cka do të thotë fitore për Flamurtarin. Një hap i vogël, por jo gjithcka për kualifikimin e Flamurtarit drejt turit tjetër, po të kemi parasysh se do ta luajë ndeshjen e kthimit në Skoci, ku vendasit do të tentojnë me cdo kusht përmbysjen e rezultatit të Vlorës. Megjithatë, me cka shfaqi skuadra e drejtuar nga Eqerem Memushi në ndeshjen e parë, mund të themi se ka shanse t’ia dalë mbanë edhe në ndeshjen e kthimit. Sepse, në total, qëndronte më lart se Madheruelli.
Flamurtari – Madheruell 1-0

Shenues: Ermir Strati 66′

Flamurtari: Moçka, Guga, Beqiri, Veliu, Begaj, Alviz, Strati, Zeqiri, Shehaj (Roshi 36’), Mema (Galica 77’), Ngjela (Flavio Junior 46’).

Motherwell: Fraser, Hammell, Reynolds, Craigan, Sutton, Lasley, O’Brien, McGarry (Fitzpatrick 64’), Forbes (Murphy 74’), Saunders (Page 40’), Slane.

Kartona të verdhë: Begaj, Guga, Strati / Forbes, Hammell

Vllaznia shkërmoqet fare në Vjenë

SK Rapid – Vllaznia 5-0 (1-0)
Stadiumi ”Gerhard-Hanappi”

Liga e Europës
Shënues: Hofmann (11-m) 33’, Jelavic 68’, 73’, Trimmel 83’, Hoffer 85’
Rapid: Payer – Dober, Eder, Patocka, Katzer – Hofmann, Heikkinen, Pehlivan (Drazan 29’), Kavlak (Trimmel 74’) – Hoffer, Maierhofer (Jelavic 51’).

Trajner: P.Pacult
Vllaznia: Bishani – Osja, Beqiri, Mrvaljevic, Hallaci – Smajlaj, Kasapi (Vajushi 77’), Nallbani, Belisha, Nika – Balaj (Basic 86’). Trajner: H.Lika
Gjyqtar: Wladislaw Besborodow (Rusi).

Vllaznia është tretur në Vienë, përballë Rapidit vendas, skuadrës së njohur austriake, në turin e dytë të Ligës së Europës. Me një humbje të thellë 5-0, kuqeblutë kanë treguar diferencën e madhe me austriakët, gjë që e kishte paralajmëruar edhe trajneri Peter Pacult, që e kishte përcjellë Vllazninë nga stadiumi i Shkodrës, në ndeshjen e kthimit me Sligo Roversin. Ndeshja pritej të ishte shumë e vështirë për shkodranët, të cilët kishin udhëtuar drejt Vjenës për t’u mbrojtur e pësuar sa më pak gola. Por ka rezultuar e kundërta. Mbrojtja e përforcuar kuqeblu nuk u ka bërë dot ballë sulmeve të vendasve, vecanërisht në pjesën e dytë. 45-minutat e para të lojës kanë përfunduar me fitoren 1-0 të Rapidit, ndërkohë që pjesa e dytë do të ishte një furtunë për tanët. Plot 4 gola të shënuar nga austriakët, e kanë dërrmuar fare Vllazninë, që në këtë ndeshje ka luajtur pa Grimën dhe Sinanin, të dënuar nga UEFA. Me një sulmues të ri, Balaj, pa asnjë eksperiencë në të tilla ndeshje, nuk ka patur thuajse fare forcë sulmuese. Në këto kushte, ndeshja ka qenë një duel i gjatë mes sulmit vendas dhe mbrojtjes kuqeblu. Kjo e fundit, së bashku me portierin Bishani, ka qenë e detyruar ta nxjerrë topin nga rrjeta e portës kuqeblu plot 5 herë, aq sa për të thënë se Vllaznia i ka larë duart me Ligën e Europës për këtë edicion. Pritet vetëm ndeshja e kthimit me Raoidin në Shkodër, e cila, sikurse shkuan punët në Vjenë, do të jetë një formalitet.

Burimi : Sporti Shqiptar

Leave a comment